Banka qendrore është një bankë përgjegjëse për stabilizimin e sistemit bankar dhe të politikave monetare të një vendi. Kjo përgjegjësi zakonisht implikon se Banka qendrore ka kontroll mbi bankat tregtare (të nivelit të dytë), ka një monopol mbi emetimin e monedhës/monedhave dhe privilegje të tjera monopolistike. Funksioni më i rëndësishëm i Bankës qendrore është rregullimi i qarkullimit monetar e kreditor dhe ruajtja e stabilitetit monetar të vendit dhe këtë funksion e realizon përmes instrumenteve të politikës monetare-kreditore.
Histori
Për më shumë se dy shekuj, emetimi i monedhave nuk ishte monopol ekskluziv i bankave qendrore, ashtu siç është sot. Banka të ndryshme tregtare (apo edhe individë privatë) emetonin monedhat e veta, duke bërë që të ekzistonin shumë tipe monedhash. Kësisoj monedhat e ndryshme i nënshtroheshin konkurrencës dhe zgjedhjes që bënte konsumatori. Monedhat që nuk përdoreshin për shkëmbim, zhdukeshin vetiu nga qarkullimi. Në SHBA, në vitin 1912, një vit përpara krijimit të "Federal Reserve", kishte 7355 banka që kishin të drejtë të emetonin dollarë.
Për shumë dhjetëvjeçarë ka ekzistuar një debat i madh doktrinal që kishte përballë ata që mbronin idenë e një konkurrence të lirë në fushën e emetimit monetar (free banking) dhe përkrahësit e idesë së monopolit shtetëror në fushën e emetimit monetar (central banking), siç edhe është sot në pjesën më të madhe të vendeve. Bankat qendrore janë ndoshta rasti i vetëm në historinë e kapitalizmit, ku fitorja e monopolit mbi konkurrencën e lirë është absolute. Disa teoristë të famshëm, përfshirë fitues të çmimit Nobel në Ekonomi, argumentojnë se politikat monetare ekspansive të zbatuara nga bankat qendrore në bashkëveprim me qeveristë përkatëse, kanë qenë përgjegjëse për depresionin e madh të 1933, dhe po ashtu për krizën financiare të 2008 që u shkaktua në një flluskë në tregun e apartamenteve në SHBA.
Statusi ligjor
Bankat qendrore mund të zotërohen nga individë privatë ose nga banka, por drejtohen dhe influencohen nga qeveritë e shteteve, që edhe i kanë krijuar. Përgjithësisht kanë një monopol mbi kursin ligjor, në formën e kartëmonedhave dhe të monedhave.
Drejt fundit të shekullit të 19-të pranohej gjithnjë e më shumë koncepti sipas të cilit banka qëndrore duhej të vepronte si “huadhënësi i fundit”, që ka të drejtë t'u japi bankave qe po rrezikohen nga falimentimi para hua në mënyrë të lirshme. Kjo ndodhi edhe pas krizës së 2008 në vende të ndryshme të botës që aktualisht ndjekin politika ekonomike të tipit Keynesian.[3][4]