Relievi është tërësia e pamjes së formave të sipërfaqes tokësore pa marrë parasysh mënyrën e krijimit dhe dimensionet e tyre. Relievi është komponentja kryesore e mjedisit gjeografik. Përveç ndikimit të madh që kanë komponentët e tjera të mjedisit gjeografik (klima, ujërat, bota bimore e shtazore, formimi i dherave), relievi paraqet bazën që është e lidhur me të gjitha aktivitetet ekonomike. Shkenca që merret me studimin e ndërtimit, gjenezës, zhvillimit dhe dinamikës bashkëkohore të relievit të sipërfaqes tokësore është gjeomorfologjia (greq. ge- Toka, morf- formë dhe logos- shkencë). Relievi i sipërfaqes së Tokësore është formuar me veprimin e fuqive të brendshme (endogjene) dhe të fuqive të jashtme (ekzogjene).