Mendohet, sipas studiuesve të mirënjohur etnologë, se idetë religjioze dëshmohen sadopak te homosapiens, por nuk dëshmohen thuajse aspak tek homohabilis dhe as tek homoerektus, pra aty-aty, rreth 300.000 vjet më parë. Me dëshmi më të shumta, të studiuara më thellë e më gjerë nga antropologët, për areale të caktuara të bashkësive njerëzore, ato na bëhen më të qarta vetëm këtu e 50.000 vjet e këtej.
Edhe para shfaqjes së ideve fetare të njëmendta ka ekzistuar një farë kulti për të panjohurën: në lidhje me objekte, gjallesa a dukuri natyrore; ky kult kishte si shkak frikën, habinë e admirimin në drejtim të së panjohurës në natyrë e në jetën e njerëzve. Kësaj kohe i përkasin forcat e pakuptueshme e idetë magjike në përgjithësi; e po kështu fetishizmi, si cilësi të mbinatyrshme të objekteve të botës reale. Në rrënjë të tyre më të lashta, edhe totemizmi e disa përfytyrime magjike për të vdekurit shpjegohen si të natyrës magjike parafetare. Janë përfytyrime të mjegulluara të foshnjërisë së njerëzimit. Me zhvillimin e mëvonshëm të shoqërisë njerëzore, këto forca të lashta magjike marrin veti animistike e bëhen pjesë përbërëse e religjioneve të ndryshme, të lashta politeiste.