Ashtu si bashkësitë njerëzore, edhe besimet, përmes një evoluimi prej mijëra vitesh, kanë kaluar në shkallë të ndryshme zhvillimi e ndryshimesh, si edhe religjionet e popujve të lashtë, politeistë. Mendimi mbizotërues i dijetarëve mitologë është se religjioni i mirëfilltë për herë të parë shfaqet në jetën e shoqërisë në të njëjtën kohë me lindjen e përfytyrimeve animiste. Animizmi është dukuria e shpirtit të padukshëm, të ndarë nga trupi, tërësisht të veçuar nga të perceptuarit e masës lëndore. Teorinë e animizmit si fillesë e shfaqjes së religjionit të vërtetë e ka përpunuar për herë të parë dhe në rrugë shkencore etnologu i shquar anglez E.Teilor (1832-1917). Të tjerë e kanë mbështetur dhe e kanë çuar më tej këtë interpretim, me anë të burimeve faktike të reja e të një analize më gjithëpërfshirëse. Gjithnjë është fjala për besimin e lashtë politeist e mbijetesat e tij të ardhura deri në kohën tonë. Sipas tyre, foshnjëha e njerëzimit, ashtu siç ndodh edhe tek fëmijët e vegjël, nuk arrinte në përgjithësime animiste religjioze në arsyetimin e saj, gjë që do të ndodhë më vonë, në shkallë më të larta të zhvillimit shoqëror.
Mendohet, sipas studiuesve të mirënjohur etnologë, se idetë religjioze dëshmohen sadopak te homosapiens, por nuk dëshmohen thuajse aspak tek homohabilis dhe as tek homoerektus, pra aty-aty, rreth 300.000 vjet më parë. Me dëshmi më të shumta, të studiuara më thellë e më gjerë nga antropologët, për areale të caktuara të bashkësive njerëzore, ato na bëhen më të qarta vetëm këtu e 50.000 vjet e këtej.
Edhe para shfaqjes së ideve fetare të njëmendta ka ekzistuar një farë kulti për të panjohurën: në lidhje me objekte, gjallesa a dukuri natyrore; ky kult kishte si shkak frikën, habinë e admirimin në drejtim të së panjohurës në natyrë e në jetën e njerëzve. Kësaj kohe i përkasin forcat e pakuptueshme e idetë magjike në përgjithësi; e po kështu fetishizmi, si cilësi të mbinatyrshme të objekteve të botës reale. Në rrënjë të tyre më të lashta, edhe totemizmi e disa përfytyrime magjike për të vdekurit shpjegohen si të natyrës magjike parafetare. Janë përfytyrime të mjegulluara të foshnjërisë së njerëzimit. Me zhvillimin e mëvonshëm të shoqërisë njerëzore, këto forca të lashta magjike marrin veti animistike e bëhen pjesë përbërëse e religjioneve të ndryshme, të lashta politeiste.